Ajri është element i relacionit. Ai paraqet diçka më tepër sesa një përzierje e gazrave – që sajohet nga azoti, oksigjeni, hidrogjeni dhe në sasi minimale edhe nga substanca të tjera – që e bëjnë të përshtatshme për jetë një ambient në të cilin ndodhemi.
Ajri si element ndërambiental është substanca e përkryer dhe e pashkatërrueshme, e cila përmban materien, por që nuk përzihet kurrë me të. Me këtë rast mendohet edhe për hapësirën intersiderale (ndëryjore) dhe zbrazëtirën ndëratomike. Në këtë kontekst, mbase ajrit më shumë do t’i përgjigjej emri eter. Elasticiteti grandioz, stërhollimi, aftësia që të plotësojë çdo gjë, ose më parë ta bëjë të pakufishëm mungesën e formës, por edhe ekzistimin e substancës nga e cila është krijuar çdo gjë, pavarësia – këto janë vetitë themelore të këtij elementi.
Ajri dhe zjarri ngjiten përpjetë; esenca e tyre është ekspansioni. Toka dhe uji zbresin poshtë, duke u përpjekur që të zënë një vëllim sa më të vogël. Të lindurit në shenjën e këtij tripliciteti dhe të përbërësve të tij më të rëndësishëm janë subtilë, të rafinuar, me prirje që të kultivohen, kureshtarë, kënaqen në shprehjen e kujdesit. Parë në përgjithësi, kanë sjellje të mirë dhe janë matur. Vitaliteti i tyre lë shumë për të dëshiruar, ndërsa baraspesha e tyre nervore shpesh është e pasigurt. Rëndom shprehin ndonjë talent artistik, por jo edhe shkencor.
Shenjat e ajrit paraqesin një natyrë mjaft humane, të gëzuar, zbavitëse, të dashur dhe simpatike. Kanë intelekt të madh dhe imagjinatë të bujshme. Paqëndrueshmëria, jokonsekuenca, plogështia, shkujdesja, sipërfaqësia – këto janë disa nga të metat e tyre. Ajri si element u përgjigjet shqisave të transmetimit në distancë, në rend të parë shqisës së të dëgjuarit. Kjo është logjike, pasi që ajri është element i relacionit; sepse meqenëse krijesat njerëzore merren vesh nëpërmjet fjalës së folur, të dëgjuarit paraqet organin e marrëveshjes, pajtimit (edhe më tutje kolektivisht përdoret fjala dëgjoj si sinonim për kuptoj – për dallim nga shprehja jonë "hyn për njërin vesh dhe del për tjetrin ").
Vlera spirituale e të lindurve te të cilët mbizotëron elementi i ajrit mund të jetë shumë e madhe, nëse ata në atë komunikim gjurmojnë edhe për gjëra të tjera dhe jo vetëm për burimin e fitimit. Të dëgjuarit merr sinjale mjaft të largëta, por gjithnjë me vonesë të vogël kundruall shqisës së të parit; zëri nganjëherë na vjen shumë më vonë sesa drita. Nëse nuk merret parasysh kjo zmbrapsje, kumtimi nëpërmjet fjalëve bëhet i pamjaftueshëm, mjegull që bie mbi natyrën e vërtetë të gjërave dhe shndërrohet në pengesë në rrugën drejt dijes. Elementi kimik që i përgjigjet ajrit është azoti – substanca inerte e cila e përbën esencën e atmosferës së tokës.
Shenjat të cilat i përkasin ajrit janë: binjakët, peshorja dhe ujori.