Prishtinë, 16 prill - Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të 120-të me radhë, nën drejtimin e kryeministrit Thaçi, fillimisht ka shqyrtuar dhe më pas ka miratuar vlerësimet e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera në nivel vendi, të hartuara nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, vlerësimi i rreziqeve dhe hartimi i planeve për mbrojtje dhe shpëtim në Republikën e Kosovës bazohet në Ligjin për Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera. Me këtë identifikohen mundësitë dhe nevojat për parandalimin, zvogëlimin e rreziqeve, reagimin, rimëkëmbjen dhe evitimin e pasojave nga fatkeqësitë dhe katastrofat.
Qeveria ka miratuar vendimin për miratimin preliminar për shpronësim për Autostradën
Vërmicë-Merdare, propozuar nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit. "Shpronësimi është bërë në bazë të zgjedhjes më të mirë teknike, e cila është përcaktuar duke iu referuar të dhënave në terren për Vërmicë, Zhur, Polisht, Vlashnje, Prizren, Hatmaxhë, Shpenadi, Beleshtë, Novakë, të komunës së Prizrenit, në gjatësi prej 27 km, me sipërfaqe 239 hektarë", theksoi ministri Fatmir Limaj, duke shtuar se do të vazhdojë shpronësimi nga Prizreni në drejtim të Duhlës e deri në Besi.
Qeveria ka miratuar kërkesën buxhetore për 9 mujorin e vitit 2010 për Ministrinë e
Integrimit Evropian. Fillimisht, Qeveria për këtë qëllim ka ndarë 300 mijë euro.
Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi ka kërkuar nga kabineti qeveritar që të bëhet
plotësim-ndryshimi i Strategjisë Legjislative për vitin 2010. Sipas Kuçit, kjo kërkesë vjen si rezultat i themelimit të institucioneve të reja dhe që lidhen me Raportin e Progresit për vitin 2010.
Qeveria ka miratuar të premten edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/L-123 për Shoqëritë Tregtare, sponsoruar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Qëllimi i ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Shoqëritë Tregtare është krijimi i kushteve që ky ligj të gjejë zbatim të plotë, dhe se ky projektligji është i harmonizuar me direktivat dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndërsa nuk do të ketë implikime buxhetore.
Në fund të komunikatës, thuhet se Qeveria ka ndarë 100 mijë euro për akomodimin e të kthyerve në fshatin Zallç të komunës së Istogut.